Arifi: Kosova nuk është Republika e Albin Kurtit

  • A.P /
  • 07 June 2023 - 17:50
Arifi: Kosova nuk është Republika e Albin Kurtit

Për zhvillimin e fundit dhe acarimin e raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së për shkak të refuzimit të kryeministrit Kurti për të dëgjuar këshillën amerikane rreth veprimeve në veri të vendit,  përmes një video mesazhi ka folur kreu i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Arifi thotë se është shumë i shqetësuar me deklarimet e fundit të Escobar lidhur me raportet në mes të SHBA-së dhe Kosovës. Ai thotë se askush s’ka legjitimitet moral e politik për të acaruar dhe dëmtuar miqësinë historike me Amerikën.

“Jam shumë i shqetësuar me deklaratat e fundit të Escobar në lidhje me partneritetin dhe bashkëpunimin e SHBA-së me Kosovën.

Askush s’ka legjitimitet moral dhe e aq më pak moral të i acaroj dhe dëmtoj miqësinë historikë me SHBA-në”, ka thënë Arifi

Ai tutje ka shtuar se Kosova nuk është Republika e Albin Kurtit, por është Republika e Adem Jasharit dhe familjes Jashari që u flijua, gjakut të dëshmorëve të UÇK-së, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Luan Haradinajt dhe e plotë heronjve të tjerë.

“Kosova nuk është republika e Albin Kurtit por e komandantit Adem Jashari dhe flijimit të familjes së tij, të gjakut të dëshmorëve të UCK-së, luftëtarëve të UCK-së, republikë e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, IDriz Seferit, Luan Haradinajt, Xhevë Lladrovcit dhe Fehmi Lladrvocit, Ismet Jasharit, Agim Ramadanit e shokëve të tyre”, ka shtuar tutje ai.

Kreu i Preshevës thotë se Kosova është Republikë me angazhimin e palodhshëm të Ibrahim Rugovës e Ukshin Hotit, dhe se është Republikë e Drenicës, Dukagjinit dhe e çdo katrori nga Lindja në Perëndim dhe nga Jugu në Veri.

“Është Republikë me angazhimin e palodhshëm të presidentit Rugova dhe rezistencës paqësore krah Amerikës. Atdhetarit Ukshin Hoti., Republikë e Drenicës dhe Duakgjinit”, thotë tutje Arifi.

Ai thotë se Kosova është edhe e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e Amerikës, NATO-s dhe miqve ndërkombëtar që kanë luftuar kundër hegjemonisë serbe në Ballkan dhe kanë luftuar për të ndalur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovës.

Në fund ai thotë se i bëj thirrje “shokut Albin” që të ndaloj së dëmtuar raportet me Amerikën.

“Është Republikë gjithashtu edhe e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kosova është gjithashtu Republikë e Amerikës dhe NATO-së dhe miqve ndërkombëtar që kanë luftuar kundër hegjemonisë serbe në Ballkan për ta ndaluar gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë.

Prandaj i bëj thirrje shokut Albin që të ndaloj së shkaktuar dëme të thella Kosovës tonë për të cilën aq shumë është punuar dhe aq shumë është sakrifikuar. Pra askush para Republikës së Kosovës”, përfundon Arifi.

(Kosova Sot Online)