Kurti për ligjin e ri të zgjedhjeve: Do t’i japë fund padrejtësisë së gjatë që iu bë mërgimtarëve

  • S.A /
  • 08 June 2023 - 12:27
Kurti për ligjin e ri të zgjedhjeve:  Do t’i japë fund padrejtësisë së gjatë që iu bë mërgimtarëve

Kryeministri Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit foli për Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, transmeton "Kosova Sot Online".

Duke përmendur “vjedhjen industriale të votave” në të kaluarën, ai tha sa përpjekjet për reformë zgjedhore patën filluar më 2010, por se atëherë s’kishte vullnet për t’u çuar përpara.

Ndërkaq, Kurti tha se ndër çështjet më të rëndësishme që rregullohen me këtë Projektligj janë regjistrimi i votuesve jashtë vendit, mënyra e votimit jashtë vendit, e drejtën e votës, numërimi i votave dhe mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë hapësirë më të madhe për deputet gra sa është kuota e përcaktuar dhe shtoi se Projektligji i ri e parasheh regjistrimin online.

“Pjesëmarrja e mërgatës në proceset zgjedhore dhe vështirësitë e tyre në realizimi e kësaj të drejte janë arsye për këto ndryshime që tani mundësojnë që ata të marrin pjesë. Shpresojmë sadopak me votimin e këtij ligji sot do t’iu dalim hak mërgimtarëve që përkundër vështirësive nuk hoqën dorë për ta shprehur vullnetin e tyre politik dhe me durim priten që shteti i tyre t’i bëjë edhe me krenar kur atyre do t’iu mundësohet votimi në shtet ku ata jetojnë”, tha Kurti.

Kurti ka falënderuar edhe partitë politike dhe ata që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij projektligji.

“Si kryeministër i vendit shpreh kënaqësinë dhe falënderimin për të përfunduar këtë proces. Falënderoj partitë politike për pajtueshmërinë për ndryshimet e bërë. Falënderoj miqtë ndërkombëtar. Raporti i misionit të BE për zgjedhjet lokale adresoj 23 rekomandime për procesin zgjedhore”.

(Kosova Sot Online )