Kërkohet paraburgim për avokatin që dyshohet se ia mori 8 mijë euro klientit për t’i korruptuar me to gjykatësit

  • E.K /
  • 09 June 2023 - 14:31
Kërkohet paraburgim për avokatin që dyshohet se ia mori 8 mijë euro klientit për t’i korruptuar me to gjykatësit

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka parqitur një kërkesë që të caktohet masa e paraburgimit për avokatin kosovar H.J, i cili dyshohet se i mori 8 mijë euro nga klienti i tij, me premtimin që këto para t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i pandehuri, përcjell “Kosova Sot Online”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit H.J., për shkak të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 paragrafi 1, lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

I pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit më 08.06.2023, pas veprimeve hetimore të ndërmarra në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pasi dyshohet se i njëjti në cilësinë e avokatit mbrojtës të një pale ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8000 (tetë mijë) euro nga një palë në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, me premtimin që këto para t’ia jap kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës së mbrojtur nga i pandehuri”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)