Kurti: Kroacia është shembull i mirë për Kosovën për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO

  • A.P /
  • 09 June 2023 - 15:55
Kurti: Kroacia është shembull i mirë për Kosovën për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO

Kroacia është shembull i mirë për Kosovën drejt synimeve të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe NATO, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, në një panel diskutimi në Dubrovnik të Kroacisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai gjithashtu tha se BE-ja mund të reformohet dhe zgjerohet.

“Në Dubrovnik fola në panelin “Kroacia Europiane: Retrospektivë & Perspektivë”. Prezantova progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, thashë se BE-ja mund të reformohet edhe të zgjerohet në të njëjtën kohë dhe ne e shikojmë Kroacinë si shembull të mirë të anëtarësimit në BE dhe NATO”.

Kroacinë si shembull Kurti e mori edhe për pakicat kombëtare në bazë të të cilit hartoi edhe një draft-vizion për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare për tri arsye. E para; Kroacia ka dalë nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova. E dyta; për shkak se Kroacia është shembull suksesi i vendit anëtar në BE dhe NATO. E treta; për shkak se Serbia e ka një marrëveshje tashmë me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ku përfshihen edhe të drejtat e pakicave kombëtare”, tha ai dje në Kuvend.

(Kosova Sot Online)