Ja kush pritet ta zëvendësojë Italinë në krye të KFOR-it

  • A.P /
  • 09 June 2023 - 20:35
Ja kush pritet ta zëvendësojë Italinë në krye të KFOR-it

Turqia pritet të marrë komandën e forcës së udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë në një rotacion të planifikuar këtë vjeshtë, pas përplasjeve më të ashpra në rajon në një dekadë, sipas zyrtarëve turq të njohur me këtë çështje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Turqia, e cila është e dyta për nga numri i ushtarëve brenda Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut pas SHBA-së, ka të ngjarë të marrë drejtimin e misionit të KFOR-it nga Italia në tetor, thanë zyrtarët, duke kërkuar të mos identifikohen për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, raporton “Bloomberg”.

Ndërrimi i komandës ishte planifikuar para shpërthimit të fundit të dhunës në veri dhe zgjedhja e Turqisë ende nuk është finalizuar.

Me kërkesë të NATO-s, Turqia ka dislokuar një batalion komando në Kosovë pas protestave që lanë 30 paqeruajtës të plagosur, duke kërcënuar një proces shumëvjeçar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një moment kritik kur Bashkimi Evropian dhe aleatët e NATO-s janë të fokusuar në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm. Një zëdhënës i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

(Kosova Sot Online)