Sot 145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

  • S.A /
  • 10 June 2023 - 08:16
Sot 145 vjet nga formimi i Lidhjes së Prizrenit

Sot, mbushen 145 vjet që kur më 10 qershor të vitit 1878 ka filluar organizimi dhe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Është kjo njëherësh një ndër Lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar.

Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi është goditur dhe tronditur nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët, të cilët kanë vepruar dhe punuar në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kanë nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, ata me shpejtësi kanë themeluar “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Komitetin e Stambollit e kanë përbërë një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve i është bashkuar ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka pasur karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk është zgjedhur rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin është mbajtur Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

Delegatët që kanë marrë pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kanë pasur për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Mendim të njëjtë kanë shprehur delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kanë kërkuar me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Në ditën e parë të punimeve në Kuvend kanë folur delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që janë mbajtur në atë ditë është ruajtur vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës.

Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ka ftuar të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera ka thënë: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

(Kosova Sot Online )