Kurti: Kam paraqitur vullnet të plotë për depërshkallëzimin e situatës në Veri

  • E.K /
  • 13 June 2023 - 11:50
Kurti: Kam paraqitur vullnet të plotë për depërshkallëzimin e situatës në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me ambasadorët e QUINT-it tha se sundimi i ligjit është hapi i parë, duke përfshirë identifikimin dhe ndjekjen penale e gjykimin e drejtë të të gjithë atyre që e kanë sulmuar Policinë, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët, përcjell “Kosova Sot Online”.

“EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin”, tha Kurti.

Pika e dytë, tha Kurti, është kjo: “Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës”. Prania e Policisë në veri, tha se “do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat”.

“Tre; Policia e Kosovës dhe KFOR-i apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë”.

“Katër, Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në veri”.

“Dhe pesë; Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e Brukselit” tha Kurti, duke shtuar se “Bashkimi Europian siguron një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike”.

Kurti tha në fund se propozimi i tij përfshinë edhe një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq këtë javë.

(Kosova Sot Online)