Nagavci: Pres që organet e drejtësisë të marrin masat e duhura për rastin në Deçan

  • A.P /
  • 13 June 2023 - 16:16
Nagavci: Pres që organet e drejtësisë të marrin masat e duhura për rastin në Deçan

Sulmin seksual ndaj vajzës së mitur në një shkollë të Deçanit nga një mësimdhënës, e ka dënuar ashpër ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“E drejta për fëmijëri në mirëqenie, është e drejtë e secilit fëmijë. E dënoj ashpër rastin e publikuar sot për sjellje të pahijshme ndaj një nxënëse në një shkollë të Deçanit. Pres që organet e drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me prioritet dhe të merren masat e duhura. Është obligim i të gjithë neve që të sigurojmë ambiente të sigurta për fëmijët”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo më tej ka përmendur tri propozime që i ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë në vitin 2021 për përfshirje në Kodin Penal, të cilat sipas saj, kanë të bëjnë me ashpërsim të dënimit në rast të ngacmimit seksual ndaj fëmijëve.

“Propozimet kanë qenë: 1.Ashpërsimi i dënimit për rastet e ngacmimit seksual ndaj fëmijëve, 2.Kualifikimi kësaj vepre penale në një paragraf të veçantë duke saktësuar kryerjen e kësaj vepre ndaj fëmijëve, 3.Aplikimi i dënimit plotësues me të cilin ndalohet ushtrimi i profesionit që lidhet me punën e fëmijëve ndaj kryerësve të veprave të tilla. Përderisa pika e 3 është marrë parasysh dhe është përfshi në Kod penal, pres që edhe 2 propozimet tjera të gjejnë mbështetje në Kuvend”, ka Nagavci.

I dyshuari për sulm seksual ndaj një fëmije në Deçan është ndaluar për 48-orë, teksa Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ndaj të pandehurit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Nga kjo Prokurori kanë njoftuar se bëhet fjalë për një mësimdhënës në këtë komunë, i cili e ka sulmuar seksualisht një vajzë brenda institucionit shkollor.

(Kosova Sot Online)