Sot me akuzat federale në gjykatën në Florida do të njihet Trump

  • A.P /
  • 13 June 2023 - 16:35
Sot me akuzat federale në gjykatën në Florida do të njihet Trump

Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të hënën në klubin e tij të golfit pranë Majamit përpara paraqitjes në gjykatë, ku do t’i bëhen të ditura akuzat për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara të sigurisë kombëtare në periudhën pasi la Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Dalja para gjykatëses, shënon ngritjen zyrtare të akuzave ndaj tij, që për shkak të interesimit të lartë, u bënë publike para disa ditësh.

Procedura është planifikuar të ndodhë në orën 3 të pasdites së të martës, ndërsa janë vendosur masa të rrepta sigurie në gjykatën federale në qendër të Majamit.

Autoritetet federale kanë shtuar sigurinë përreth godinës dhe zyrtarët e Majamit thonë se janë të përgatitur për të parandaluar dhunën e mundshme nga mbështetësit e zotit Trump dhe kundër-protestuesit.

“Në qytetin tonë, ne sigurisht që besojmë tek Kushtetuta dhe se njerëzit duhet të kenë të drejtën të shprehen”, tha gjatë një konference për shtyp të hënën Kryetari i Bashkisë së Majamit, Francis Suarez. “Por, ne gjithashtu besojmë tek ligji dhe rendi. Dhe e dimë, dhe shpresojmë, se e nesërmja do të jetë paqësore”.

(Kosova Sot Online)