Për kidnapimin e tre policëve Kusari kërkon nga ndërkombëtarët të reagojnë

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 16:01
Për kidnapimin e tre policëve Kusari kërkon nga ndërkombëtarët të reagojnë

Pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga Policia e Serbisë, Mimoza Kusari, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të reagojnë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kidnapimi i policëve brenda territorit të Kosovës, sipas Kusarit, është vazhdim i ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë.

“Tre policë kufitarë të Kosovës janë kidnapuar sot brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Kjo është një tejzgjatje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbinë në Kosovës, pas zhvillimeve në veri. Agresori në këto ngjarje të dhunshme qëndron në Beograd dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë”, ka shkruar Kusari.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi sot se tre policë të Kosovës janë kidnapuar brenda territorit të Kosovës. Ndërkaq mediumi serb, Novosti, raportoi më herët se ata ishin arrestuar në territorin e Serbisë.

Policia e Kosovës më pak dha detaje rreth kësaj ngjarjeje.

“Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe”, është thënë në njoftimin e Policisë. 

(Kosova Sot Online)