Krasniqi: Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 16:54
Krasniqi:  Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione

Pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga njësia speciale e Serbisë, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Krasniqi ka thënë se kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë dhe denoncon ashpër rrëmbimin e sotëm të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të policisë së Serbisë. Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka  kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm te policëve te rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

“Po ashtu, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë ai. 

(Kosova Sot Online)