Kurti viziton familjarët e tre policëve të rrëmbyer

  • E.K /
  • 15 June 2023 - 14:59
Kurti viziton familjarët e tre policëve të rrëmbyer

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë brenda Kosovës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Zyra e Kryeministrit Kurti njofton se në Mitrovicë, Kurti u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij që ishte po ashtu polic kufitar.

“Familjaret vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën”, thuhet në njoftim.

“Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, ai u prit nga familjarët e Beqir Sefës, në mesin të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën për veri”, vijon komunikata e ZKM-së.

Kryeministri thuhet se i ka njoftuar familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer. ZKM-ja thotë se familjarët e policëve falënderuan kryeministrin për vizitën, si dhe për qëndresën e tij.

“Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, kryeministri Kurti pastaj vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.”

(Kosova Sot Online)