Arkeologu kosovar: Kjo kishë katolike në Drenicë, u shndërrua në kishë ortodokse

  • E.K /
  • 16 June 2023 - 08:25
Arkeologu kosovar: Kjo kishë katolike në Drenicë, u shndërrua në kishë ortodokse

Arkeologu Kosovar, Haxhi Mehmetaj, ka paraqitur disa fakte rreth një kishe që ndodhet në Drenicë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Mehmetaj ka treguar se kjo kishë që ndodhet në fshatin Leqinë të Skenderajt nga kisha katolike, u shndërrua në kishë ortodokse.

Ky është postimi i plotë i tij:

Në fshatin Leqinë të komunës së Skenderajt, në trevën e Drenicës, rrëzë një kodre te ulët e të pyllëzuar, të quajtur më toponimin Kisha, jo larg gjurmëve të vendbanimit mesjetar, gjendet kisha mesjetare e shek. XVI kushtuar Shën Gjonit. Kjo kishë ishte ngritur sipëri themeleve të një kishe të shek. XIV, kushtuar Shën Kollit. Kisha është më një anijatë, përmasash 10 x 5.10m. Ajo është restauruar dhe venë nen mbrojte të Ligjit në vitet 60-ta të shek. XX. Përmasat e kishës kanë qenë me të mëdha para restaurimit, gjë që shihet nga vazhdimi i themeleve të pronarteksit në anën perëndimore. Hyrja nga ana e jashtme ndodhet në anën jugore të pronarteksit. Muret e kishës janë ngritur nga gurët konglomerat të lidhur më llaç gëlqeror. Ato kanë qenë të pikturuara nga ana e brendshme me afreske motivesh liturgjike, të cilat në masën me të madhe janë dëmtuar. Trashësia e mureve të jashtme është 90cm, kurse muri ndarës ne mes të anijatës dhe pronarteksit është i gjerë 70cm.

Sipas një shkrimi të botuar në librin “ Kosova dikur dhe sot”, Prishtinë 1973, faqe 951, kjo kishë nga kisha katolike ishte shndërruar në kishë ortodokse: ”…në fshatin Leqinë është një kishë e vogël, shumë më e vjetër sesa Manastiri i Deviqit, për të cilën konsiderohet së se pari ka qenë kishë katolike, e pastaj është shndërruar në kishë ortodokse. Këtu është gjetur një kryq i madh, i stolisur me flori, të cilin fshatarët e kanë ruajtur me xhelozi. Kur banoret e Kollashinit e rrëmbyen ketë kryq, shpërtheu konflikti i armatosur, në të cilin u përzien edhe pjesëtaret e kombësisë shqiptare, në anën e bashkëvendësve të tyre, dhe e kthyen kryqin në kishën e vogël”.

Brenda sipërfaqes prej 5 – 6 ari ,në terrenin e pyllëzuar të kodrës, në veriperëndim të kishës së Shën Gjonit ndodhen varret mesjetare të shënuara me lloje të ndryshme të kryqeve të gurit.

Leqinë, Kisha e Shën Gjonit para restaurimit.

(Kosova Sot Online)