Zëdhënësi i DASH-it tregon çfarë po bën SHBA-ja për shtensionimin e situatës në Kosovë

  • S.A /
  • 16 June 2023 - 12:15
Zëdhënësi i DASH-it tregon çfarë po bën SHBA-ja për shtensionimin e situatës në Kosovë

Duke iu përmendur se deri tani në deklaratat e zyrtarëve amerikanë janë dhënë kritika kryesisht për Kryeministrin Albin Kurti, Zëdhënësi i DASH-it është pyetur për një koment rreth rrëmbimit të tre policëve dhe për angazhimet e SHBA-së për ta shtensionuar situatën në Kosovë, transmeton "Kosova Sot Online".

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka dhënë për herë të parë qëndrimin e SHBA-së për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Për këtë temë ai u pyet në një konferencë për media.

Miller tha se SHBA-ja pret nga të dyja palët, edhe nga Kosova dhe nga Serbia, që ta shtensionojnë situatën. Këtu tha se përfshihet edhe “lirimi i pakusht” i tre policëve.

“Më lejo ta bëjë të qartë këtë – pritjet tona për dy palët janë që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për shtensionimin e situatës. Kjo përfshin lirimin e pakusht të tre policëve të Kosovës, të ndaluar së fundmi. Ne besojmë se dy palët duhet ta ndjekin pa vonesë planin trepikësh që është përshkruar nga BE-ja. Si pjesë e kësaj, siç kemi folur më herët, Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të bartin detyrat e tyre tranzicionale nga lokacione alternative dhe t’i tërheqin forcat policore nga afërsia”, tha Miller.

Zëdhënësi i DASH-it është pytur edhe se cfarë përpjekjesh po bën SHBA-ja për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai përmendi këtu deklaratat dënuese të dhunës ndaj focave të KFOR-it, zyrtarëve kosovarë dhe gazetarëve gjatë tensioneve në veri. Miller tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët, përfshirë edhe akterë të tjerë rajonalë.

“Ne vazhdojmë ta dënojmë dhunën e papranueshme ndaj trupave të KFOR-it, ndaj forcave të rendit dhe ndaj gazetarëve. Dhe do të them, për rrugën përpara, ne vazhdojmë të jemi të angazhuar direkt me të dy palët dhe gjithashtu me partnerët në rajon. Sekretari Blinken ka pasur një bisedë me partnerët në rajon për këtë. Këshilltari Chollet ka pasur biseda direkte, sic kanë pasur edhe të tjerë nga Departamenti i Shtetit”,  tha Miller. 

(Kosova Sot Online )