Paraburgim për tre policët e Kosovës: Serbia dyshon në “posedim të paligjshëm armësh”

  • E.K /
  • 16 June 2023 - 14:33
Paraburgim për tre policët e Kosovës: Serbia dyshon në “posedim të paligjshëm armësh”

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, më 14 qershor, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Tre policëve, B.S. R.Z. dhe M.SH., iu shqiptua të premten masa e paraburgimit nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, por tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e saj.

Qeveria e Kosovës pretendon se policët janë “rrëmbyer”, pasi, sipas saj, ata janë arrestuar në territorin e Kosovës.

Kurse, Serbia e mohon këtë, duke thënë se ata janë arrestuar në territorin e saj.

(Kosova Sot Online)