Berisha: Skenari i Ramës nuk ka asgjë të përbashkët me PD-në

  • A.P /
  • 16 June 2023 - 17:34
Berisha: Skenari i Ramës nuk ka asgjë të përbashkët me PD-në

Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi gjatë konferencës për shtyp edhe situatën në atë që njihet si partia e vulës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ajo që shihni ju është skenari i Edi Ramës. Sot nuk ka njeri, që në analizën më minimaliste nuk konstaton se ai është një skenar i Edi Ramës, që nuk ka asgjë të përbashkët me PD-në dhe opozitarizmin.

Opozita shqiptare është në një përballje të madhe me Edi Ramën, është në një proces qëndrese të pamposhtur ndaj një skenari që synonte zhdukjen e opozitës shqiptare. Ndaj një skenari që synonte vendosjen e opozitës shqiptare nën kontrollin e plotë të qeverisë.

Ky skenar ka dështuar, por jo plotësisht. Beteja vazhdon dhe unë jam i sigurt në fitore. Objektivi absolut është qëndresa dhe përpjekja ndaj asgjësimit të opozitës shqiptare. Shqiptarët duhet të kenë opozitën e tyre dhe nuk duhet t’ua kontrollojë askush.

Ne nuk përkulemi përpara padrejtësive,” tha Berisha.

Kryetari demokrat komentoi edhe vizitën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban në Shqipëri.

“Viktor Orban është një mik i çmuar, ndaj të cilit unë ruaj marrëdhëniet dhe respektin tim. Hungaria është një vend mik i shqiptarëve. Nuk kam kërkuar dhe nuk ka kërkuar të më takojë. Kjo nuk humb aspak marrëdhëniet tona me partinë e tij dhe me atë personalisht,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)