FSK dhe policia angazhohen në kërkimet për familjen që ra në Lepenc

  • A.P /
  • 18 June 2023 - 13:00
FSK dhe policia angazhohen në kërkimet për familjen që ra në Lepenc

Aktualisht në kërkim të një familje nga Kosova që ra me veturë në lumin Lepenc, janë rreth 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, ka njoftuar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vetura me targa të Kosovës ra pasditën e së shtunës në Lepenc, një person ka shpëtuar, ndërsa tre të tjerë ndodhen në kërkim.

Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Sapo jam njoftuar mbrëmë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Shkup – Bllacë, me ç’rast një familje nga Kosova ka rënë në lumin Lepenc, jam nisur tek vendi ngjarjes.

Pas koordinimit me autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbrëmë kanë arritur njësitet e para profesionale të Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët kanë filluar planifikimin dhe kërkimin në rrjedhën e rrëmbyeshme të Lepencit.

Aktualisht ndodhen 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit, të cilët në koordinim dhe bashkëveprim me ekipet profesionale të Maqedonisë së Veriut janë duke e bërë maksimumin e tyre në lokalizimin dhe nxjerrjen e personave nga lumi.

Institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të vështira qëndrojnë pranë familjarëve të të prekurve nga ky aksident dhe përkundër të gjitha sfidave, kanë ngritur të gjitha kapacitetet që të kemi rezultate sa më të shpejta.


(Kosova Sot Online)