Çfarë po ndodh? Ministri i mbrojtjes mbledh ish-komandantët e UÇK-së

  • A.P /
  • 19 June 2023 - 14:59
Çfarë po ndodh? Ministri i mbrojtjes mbledh ish-komandantët e UÇK-së

Ministrat e mëhershëm të Mbrojtjes dhe Komandantët, bashkë me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës, sot i ka pritur në takim ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Mehaj shkruan se i ka njoftuar ata për zhvillimet në ministri dhe në Forcës e Sigurisë dhe ka diskutuar me ta për situatën e përgjithshme të Sigurisë.

Postimi i plotë:

Sot në dy takime të ndara kam pritur ish-Ministrat e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës bashkë me ish-Komandantët e ushtrisë sonë dhe Shoqatat e Dëshmorëve, Veteranëve dhe Invalidëve të luftës.

Gjatë takimit i njoftova për zhvillimet dhe avancimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, zhvillime këto që janë duke vazhduar në përmbushje të objektivave tona strategjike të cilat e bëjnë ushtrinë tonë forcë profesionale, të trajnuar, shkolluar dhe të armatosur sipas standardeve të NATO-së.

Gjithashtu diskutuam edhe për situatën e përgjithshme të sigurisë në vendin tonë dhe më gjerë. Secili nga ne dhe të gjithë bashkë duhet të angazhohemi për një mjedis të qetë dhe të sigurtë në Republikën e Kosovës.

Veprimet tona janë në vazhdimësi të koordinuara me partnerët tanë, ndërsa ne mbetemi të përkushtuar në sundimin e ligjit dhe respektimin e kushtetuetshmërisë sonë.

(Kosova Sot Online)