Gruaja e një serbi nga Kosova thirrje Petkoviqit të mos gënjejë: Askush s’e ndoqi burrin tim për ta arrestuar

  • E.K /
  • 21 June 2023 - 08:49
Gruaja e një serbi nga Kosova thirrje Petkoviqit të mos gënjejë: Askush s’e ndoqi burrin tim për ta arrestuar

Gruaja e njërit prej serbëve të Kosovës, Jelena Zhivkoviq, ka kundërshtuar deklaratën e të drejtorit të ashtuquajtur Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, duke thënë se Policia e Kosovës nuk e ka ndjekur për ta arrestuar burrin e saj, që është shok i Milun Milenkoviqit “Llune”.

Ajo ka thënë se nuk janë të vërteta deklarimet e Petkoviqit dhe ka kërkuar nga ai dhe Beogradi që t’i ndalin etiketimet dhe sharjet.

“Burri im është shok i Milun Milenkoviqit, ata kanë themeluar një klub së bashku, janë trajnuar, por nuk është e vërtetë se e kanë ndjekur për ta arrestuar, siç ka thënë drejtoria e përgjithshme e Zyrës për Kosovë”, ka thënë ajo për portalin serb N1.

Ajo ka thënë se situata nuk është e sigurt dhe këto etiketime nga Beogradi për serbët që janë dhe duan të jetojnë në Kosovë nuk janë të mira.

“Situata është e tillë që kujtdo që përmendet emri, ai mund të arrestohet më pas”, ka thënë ajo dhe i bëri thirrje Beogradit që të ndalojë thirrjet e tilla.

Petkoviqi kishte thënë se policia po tenton ta arrestojë shokun e tashmë të paraburgosurit, i njohur me nofkën “Llune”.

(Kosova Sot Online)