Gazetarët rrëfehen para deputetëve për skenat e sulmeve kundër tyre në veri të Kosovës

  • S.A /
  • 21 June 2023 - 12:42
Gazetarët rrëfehen  para deputetëve për skenat e sulmeve kundër tyre  në veri të Kosovës

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur seancë dëgjimore me gazetarët e lënduar gjatë raportimit për ngjarjet në veri, transmeton "kosova Sot Online".

Aty, gazetarët treguan vështirësitë dhe dhunën që e kanë përjetuar nga grupet kriminale në veri.Gazetarja e televizionit publik, Venera Xhoxhaj, tha se ne 16 qershor në Leposaviq, shumë gazetarë kanë pësuar lëndime ngase në drejtim të tyre është gjuajtur me rrebesh gurësh.

Ajo më pas sqaroi se fillimisht është sulmuar kameramani dhe kanë tentuar që t’ia marrin edhe kamerën.Xhoxhaj ka kërkuar kushte e siguri më shumë për gazetarët.

“Mendoj që kemi bërë punën tonë në gjendje të jashtëzakonshme, po e shihni Pleuratin dhe Laurën goxha shumë të lënduar. Kemi pësuar lëndime shumë të mëdha dhe pamëshirshëm kanë gjuajtur rrebesh gurësh, por që kemi arrit t’ia dalim. Konsideroj se profesioni i gazetarit është mision, pavarësisht si e mjekut, ushtarit etj”, tha ajo.

“E keni parë edhe sulmin ndaj nesh por edhe Laurës, që fillimisht e kanë sulmuar Bardhin e më pastaj kanë tentuar edhe të më marrin pajisjet që kam gjiruar”, tha ajo, teksa kërkoi t’u ofrohen kushte më të mira për gazetarët.

Kryetari i këtij Komisioni, Valon Ramadani, tha se sulmet ndaj gazetarëve kanë qenë të qëllimshme vetëm pse është shpërfaq realiteti atje.

“Ato sulme nuk kanë qenë të rastësishme por të qëllimshme dhe ato që i keni shpërfaq nuk u ka pëlqyer grupeve kriminaleve. Ju keni rrezikuar deri te jeta dhe jemi krenarë për punën që jeni duke e bërë. Unë e than edhe në seancë jemi krah gazetarëve dhe çdo hap që është i nevojshëm di ta bëjmë si komision”, tha Ramadani.

E Bardh Bekteshi, kameraman nga RTK-ja, tha se gjatë raportimeve në veri nuk kanë pasur siguri dhe se janë sulmuar në mënyrën më brutale.

“Ajo ndjenja që shkon çdo ditë dhe kur e ndjen që nuk ke kurrfarë sigurie nuk është ndjenjë e mire. Pritem se nuk na sulmojnë në atë mënyrë, por kur kaloi ministri çka nuk munden me u shfry në ministrin e kryen tek ne”, tha Bekteshi.

Pleurat Salihu, i cili në veri kishte pësuar thyerje të dorës, tregoi një video kur janë urdhëruar grupet kriminale për t’i larguar gazetarët nga ombrella pasi ka filluar të binte shi. E urdhri sipas Salihut është dhënë nga ish-kryetari i Leposaviqit.

(Kosova Sot Online )