Ushtria serbe alarmohet pas marshimit të FSK-së në Mitrovicë të Jugut

  • A.P /
  • 23 June 2023 - 16:30
Ushtria serbe alarmohet pas marshimit të FSK-së në Mitrovicë të Jugut

Përmes një komunikate për media, FSK ka bërë të ditur se kanë zhvilluar marshimet kondicionalë taktike në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës dhe për këtë thonë se ka qenë i njoftuar edhe komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij që janë të vendosur në bazën e KFOR-it në Maxhunaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

FSK ka sqaruar se në kuadër të planit tre mujor të trajnimeve për muajin qershor, sot kanë realizuar marshimin 12 kilometra në zonën e përgjegjësisë në rajonin e Mitrovicës.

Ky marsh ka nisur nga ora 09:00 në mëngjes nga kazerma Minatori në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh dhe kanë marrë pjesë 215 ushtarë të FSK-së.

“Marshimi është realizuar duke filluar nga ora 0900L nga kazerma “Minatori” në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh. R3K në këtë marshim ka marrë pjesë gjithsej me 215 pjesëtar. Qëllimi i këtij marshimi ka qenë mbajtja dhe përmirësimi i gatishmërisë fizike të pjesëtarëve të R3K”, thuhet në njoftim.

Kjo duket se ka nxitur komandantin e forcave të ushtrisë serbe që sot të mbaj konferencë të jashtëzakonshme për media, duke thënë se ka informuar edhe KFOR-in dhe ka kërkuar masa urgjente për “mbrojtjen e popullit serb”.

” Sipas fakteve, e informova komandantin e KFOR-it se kërkojmë masa urgjente për mbrojtjen e popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Kjo është kërkesa jonë për KFOR-in dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”, ka thënë Milan Mojsiloviq.

(Kosova Sot Online)