Mehaj jep detaje rreth ushtrimit të sotëm të ushtarëve të FSK-së në jug të Mitrovicës

  • A.P /
  • 23 June 2023 - 17:00
Mehaj jep detaje rreth ushtrimit të sotëm të ushtarëve të FSK-së në jug të Mitrovicës

Ushtrimit të sotëm të ushtarëve të FSK-së në jug të Mitrovicës nuk duhet t’i jepet konotacion tjetër, ka theksuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 Përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar, Mehaj ka thënë se ka qenë një marsh i organizuar për ngritje të gatishmërisë fizike të ushtarëve.

Mehaj tutje ka thënë se një lëvizje e tillë e trupave të FSK-së s’ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës.

“Marshime të tilla janë të rregullta, ky ushtrim gjithashtu ka qenë në kuadër të planit vjetor dhe është realizuar sot, prandaj bëjmë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’iu jipet konotacion tjetër. Marshimi nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës”, ka shkruar Mehaj

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve e ka Policia e Kosovës dhe një detyrë të tillë po e kryen me sukses.

“Përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve tanë e ka Policia e Kosovës e cila është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj”, ka thënë Mehaj në reagimin e tij.

(Kosova Sot Online)