Pse Grenell u shfaq pa paralajmërim në Mitrovicën e Veriut përkrah Rakiqit?

  • A.P /
  • 23 June 2023 - 17:22
Pse Grenell u shfaq pa paralajmërim në Mitrovicën e Veriut përkrah Rakiqit?

Dje pa paralajmërim në Mitrovicën e Veriut, u shfaq Richard Grenell, ish-emisari amerikan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pa një vend të punës në diplomacinë amerikane, Grenell ka vazhduar të merret me rajonin, specifikisht me Kosovën dhe Serbinë.

Pas gati një muajsh tensione në veriun e Kosovës, të cilat, Grenell i ka komentuar në Tëitter, ish-diplomati është shfaqur në Mitrovicë të Veriut. Ai u takua me udhëheqjen e Listës Serbe, e cila u kishte thënë mediave lokale serbe se vizita e Grenellit s’është paralajmëruar “për arsye të sigurisë”.

Ndërkaq, Grenelli e komentoi vizitën e tij si ekskluzive “në zonë të konfliktit” dhe kritikoi zyrtarët amerikanë dhe evropianë që s’po i dëgjojnë njerëzit që preken nga situata në veri.

“Asnjë nga zyrtarët e SHBA-së ose BE-së nuk kanë shkuar në zonën e konfliktit. Askush nuk po i dëgjon njerëzit që janë më të prekurit. Pse?”, ka shkruar Grenell.

Ish-diplomati amerikan, i dekoruar nga Serbia për kontribut në përmirësimin e raporteve SHBA-Serbi, pas vizitës së djeshme ka dhënë disa sugjerime se si duhet të shtensionohet situata në veri të Kosovës.

“Duhet të ketë lirim të menjëhershëm të zyrtarëve policorë shqiptarë dhe një tërheqje e menjëhershme e forcave speciale. Njerëzit duan të punojnë dhe të jenë të lirë – Forcat Speciale po i shqetësojnë dhe frikësojnë njerëzit”, thuhet tutje në postimin e tij në Tëitter.

Ndërsa në konferencën e djeshme ka adresuar “kritika ndaj hapave të njëanshëm të Kryeministrit Kurti”.

Kërkesat e Grenellit, në këtë rast, janë të njëjta me pushtetin aktual të demokratëve në SHBA dhe të Bashkimit Evropian. Ai thotë se duhet të ketë zgjedhje të reja dhe më pas zbatim të të gjitha marrëveshjeve të arritura nga Kosova dhe Serbia.

Në takimin e djeshëm morën pjesë kryesia e lartë e Listës Serbe, duke përfshirë kryetarin e saj, Goran Rakiq dhe nënkryetarin Igor Simiq, ish-kryetarin e Komunës së Zveçanit Dragisha Miloviq, si dhe drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore.


(Kosova Sot Online)