Xhelal Sveçla takon tre policët e liruar nga Serbia

  • A.P /
  • 26 June 2023 - 16:44
Xhelal Sveçla takon tre policët e liruar nga Serbia

Tre zyrtarët policorë kufitarë, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shema, të cilët ishin rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe, afër vijës kufitare, i ka pritur sot në takim ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë i’u është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia.

“Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, thuhet në njoftim.

Ministri Sveçla, thuhet në komunikate, se shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky “rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi”.

“Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)