Kearns pas takimit me Albin Kurtin: Ia vlen të mbrohet Kosova

  • A.P /
  • 26 June 2023 - 21:10
Kearns pas takimit me Albin Kurtin: Ia vlen të mbrohet Kosova

Me Kryetaren e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, është takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në njoftimin e saj për takimin me Kurtin, Kearns ka thënë se ia vlen të mbrohet Kosova.

Ajo ka thënë se Britania e Madhe duhet të qëndrojë krah partnerëve të saj.

“Ia vlen të mbrohet Kosova”, ka shkruar ajo.

Ajo ka treguar se çfarë është diskutuar sot me Kurtin.

“Duhet të qëndrojmë krah partnerëve tanë. Ishte shumë produktiv takimi me Kryeministrin Albin Kurti këtë mëngjes, për të diskutuar se si të de-përshkallëzohet situata, kthimi i tre policëve të rrëmbyer kosovarë, mbështetja e komunitetit serb në Kosovë dhe milicia e mbështetur nga Beogradi”, ka shkruar ajo.

Në anën tjetër Qeveria ka njoftuar më herët se me deputeten Kearns, kryeministri Kurti ka diskutuar për qeverisjen, progresin në vend dhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Vëmendje të veçantë iu dha zhvillimeve të fundit në katër komunat veriore në Kosovë dhe sulmeve të organizuara nga grupe kriminale atje ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve, si dhe përfshirjen aktive të Serbisë në tensionimin e situatës deri te rrëmbimi i tre policëve të Kosovës brenda territorit të Republikës, për të cilët Serbia duhet të mbahet përgjegjëse ndonëse ata u liruan sot gjatë ditës”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)