Me “Deklaratën e Vidovdanit”, përfundon tubimi i serbëve në qendër të Graçanicës

  • S.A /
  • 27 June 2023 - 12:51
Me “Deklaratën e Vidovdanit”, përfundon tubimi i serbëve në qendër të Graçanicës

Me “Deklaratën e Vidovdanit”, të lexuar nga Dalibor Jevtiq, kryetar i Shtërpcës, përfundoi tubimi i qytetarëve serbë në qendër të Graçanicës, transmeton "Kosova Sot Online".

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paralajmëroi më herët se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.

Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.

Si shembull i kësaj përmendet, mes tjerash, arrestimi i disa qytetarëve serbë, të cilët Kosova i akuzon për “shkelje të rendit kushtetues”, sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR, policisë dhe gazetarëve.

Disa nga të arrestuarit janë: Millun Millenkoviq – Llune, Dushan Obrenoviq, Dallibor Spasiq, Urosh Vukashinoviq dhe Nemanja Vllashkoviq.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”, raporton rel.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Aty përmendet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd dhe i cili duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vjen në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Në dy vjetët e fundit atje kishte edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Qytetarë serbë u mblodhën edhe në Mitrovicë të Veriut.

(Kosova Sot Online )