Qeveria e ka hapur kuletën, ndan edhe 11 milionë euro për kreditimin e bizneseve

  • S.A /
  • 29 June 2023 - 12:07
Qeveria e ka hapur kuletën, ndan  edhe 11 milionë euro për kreditimin e bizneseve

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim në mbledhjen e sotme për ndarjen e 11 milionë eurove për përkrahjen e Fondit për Garanci Kreditore, në kuadër të masës 2.2 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, transmeton "Kosova Sot Online".

“Në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme të bizneseve për qasje më të lehtë në financa, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka sjellë propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve në shumë prej  11 milionë eurove për zbatimin e kësaj mase”, tha kryeministri Albin Kurti, i cili ia dha pastaj fjalën Ministrit të Financave, Hekuran Muratit, që ta prezantojë këtë propozim.

Murati e ftoi kabinetin që ta votojë këtë propozim, duke thënë se ka rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës të qëndrueshme.

“Në vazhdimësi të mbështetjes që ne si Qeveri ofrojmë karshi sektorit të biznesve, kryesisht ato prodhuese por edhe të atyre që janë në pronësi të grave, start-upeve dhe ato bujqësisë, është edhe zbatimi i masës 2.2 që ka të bëjë me disbursimin e fondeve në kuadër të marrëveshjes që kemi me Bankën Investive Evropiane, e që është mbështetje për Fondin për Garanci Kreditore i Republikës së Kosovës për të shtuar kapitalin, i cili pastaj mundëson që  kreditimin shtesë të këtyre lloje të bizneseve. Pra disbursimi i radhës sipas kërkesës së Fondit është 11 milionë euro dhe këto mjete do të përdoren si mundësim i rritjes së portfolios pra garantimit të mëtutjeshëm të kredive investive për këto lloj biznesesh. Marrë parasysh rëndësinë e mbështetjes që ka kjo në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës të qëndrueshme, ju ftoj që ta miratoni këtë vendim”, tha Murati.

(Kosova Sot Online )