Presidentja u uron spanjollëve presidencë të suksesshme- Ta çojmë Kosovën më afër BE’së

  • S.A /
  • 01 July 2023 - 12:07
Presidentja u uron spanjollëve presidencë të suksesshme- Ta çojmë Kosovën më afër BE’së

Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar Spanjën për marrjen e udhëheqësisë së presidencës së Bashkimit Evropian, derisa ka thënë se pret që të vazhdojnë përpjekjet për ta sjellë Kosovën më afër BE’së gjatë kësaj kohe, transmeton "Kosova Sot Online". 

Osmani ka përmendur edhe Suedinë, e cila ka pasur presidencën e BE’së në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ajo ka falenderuar Kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

“Ndërsa Suedia përfundon Presidencën e Këshillit të BE-së, falënderoj @SëedishPM Ulf Kristersson për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Presim të vazhdojmë përpjekjet tona për ta sjellë Kosovën më afër BE-së gjatë @eu2023es dhe i urojmë Spanjës një presidencë të suksesshme”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Spanja ka marrë sot udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilën do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti.

Një ditë më parë, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, theksoi se qëndrimi i vendit të tij është i qartë: Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky qëndrim nuk ka ndërruar, as nuk do të ndërrojë, dhe të gjithë aleatët tanë e dinë këtë shumë mirë”, tha Bartolome më 30 qershor.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron.

Sipas rendit të paracaktuar, Spanja mori presidencën e BE-së për gjashtë muaj pas Suedisë që e kishte pasur në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Qysh më 9 janar, Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas procedurave në BE pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga komisioni Evropian që të përpiloj mendimin se ai përmbush apo jo aplikuesi kushtet për status kandidati dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Kosova kishte dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim në BE me 15 dhjetor.

Presidenca e atëhershme Çeke nuk ka pasur kohë të shqyrtoj atë kërkesë por vetëm i ka njoftuar vendet anëtare për dorëzimin e saj. Pastaj atë dosje në duar e ka pasur Presidenca suedeze.

Është e paqartë se si do të vazhdohet puna lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim gjatë gjashtëmujorit të presidencës së Spanjës si vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online )