‘Më erdhi turp nga pritja që iu bë’, Lubonja për vizitën e Clinton: Rama e përdori

  • E.K /
  • 04 July 2023 - 18:09
‘Më erdhi turp nga pritja që iu bë’, Lubonja për vizitën e Clinton: Rama e përdori

Analisti, Fatos Lubonja, ka komentuar vizitën e ish-presidentit Bill Clinton gjatë ditës së djeshme në Shqipëri, përcjell "Kosova Sot Online".

Lubonja tha se këtë vizitë e pa me keqardhje për popullin shqiptar dhe se “i erdhi turp”, teksa shihte se populli e priste sikur kishte ardhur Zoti mbi tokë.

“U ndjeva keq për popullin shqiptar, sepse mu kujtua ajo koha kur vinte Hrushçov… kur mblidhej gjithë populli dhe priteshin sikur kishte ardhur Zoti mbi tokë. Kjo ishte fryma, një popull që i shpëlahen trutë, një provincë e mjerë që nuk  ka zhvilluar dot një mendim kritik. Mban një fjalim të turpshëm për mendimin tim për shkak të përmbajtjes, por më turp më erdhi kur rreshtuan ata fëmijët e shkretë me emrat Hillary dhe Clinton. Fatkeqësia është që ka njerëz që u duket shumë e bukur kjo, por mua më kujtoi ata fëmijët që merrnin emrin e Stalinit, Hilterit, dhe nuk kanë emrat e gjyshërve të tyre. Duhet të jesh shumë vend i papjekur për të bërë këto akte”, u shpreh ai.

Më tej, ai tha se vizita e Clinton i ka shërbyer vetëm kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe politikave të tij aktuale, lidhur me krizën që po ndodh në Kosovë.

“Kjo vizitë i shërbeu kryeministrit Rama, dhe politikave të tij që në momentin aktual janë të përqendruara për të kundërshtuar dhe luftuar Albin Kurtin, i cili përfaqëson një pushtet që është në kundërshtim me pushtetin që mban në këmbë Edi Ramën, që janë oligarkia, krimi i organizuar, mediat ku investojnë dhe partnerët ndërkombëtar”, tha Lubonja.

(Kosova Sot Online)