Kurti – Lajçakut: Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta

  • E.K /
  • 04 July 2023 - 20:41
Kurti – Lajçakut: Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në zyrën e tij emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili erdhi për takim së bashku me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog, dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen, përcjell "Kosova Sot Online".

 Kurti në këtë takim tha se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.

“Në fillim të këtij takimi, Kryeministri Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Në vijim, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim. Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve”.

“Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore. Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)