Kjo është përgjigja e kishes ortodokse serbe ndaj akuzave të deputetes britanike për kontrabandim me armë

  • S.A /
  • 05 July 2023 - 08:46
Kjo është përgjigja e kishes ortodokse serbe  ndaj akuzave të deputetes britanike për kontrabandim me armë

Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë se e ka pranuar me shqetësim të thellë deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kerns, të bërë në Parlamentin Britanik, transmeton "Kosova Sot Online".

Gjatë fjalimit të saj, deputetja Kearns akuzoi drejtpërdrejt Kishën Ortodokse Serbe, se është përfshirë në kontrabandim të armëve nga Serbia në Kosovë.

“…Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – çuditërisht – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”.

Sipas Dioqezës Rashkë-Prizren, kjo deklaratë e deputetes britanike “paraqet një akuzë tejet të rrezikshme që kriminalizon Kishën Ortodokse Serbe dhe tashmë po shfrytëzohet nga disa media kosovare me qëllim të nxitjes së urrejtjes fetare dhe etnike”.

“Këto akuza përbëjnë gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë për klerin, manastiret dhe vendet fetare”, thuhet në këtë reagim.

Dioqeza Rashkë-Prizren (KOS) thotë më tej se “ka kundërshtuar qartë çdo formë të dhunës përmes veprimeve dhe deklaratave të saj gjatë tridhjetë viteve të fundit, si para dhe pas” luftës në Kosovë.

Dhuna, thuhet më tej në deklaratë, “është në kundërshtim me parimet themelore të Ungjillit dhe me misionin e Kishës. Prandaj, dëshirojmë ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet dhe përgjegjësi të plotë”.

Tutje, thuhet se akuzat e deputetes Kearns duhet të verifikohen urgjentisht.

“Prandaj, ne kërkojmë publikisht, përmes kësaj deklarate, që misioni i KFOR-it, në të cilin ishte vendosur njësia e lartpërmendur britanike (Royal Fusiliers), t’i bëjë të ditur publikut nëse mund të konfirmojnë pretendimet e deputetit të MB-së. Është e pamundur që ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në KFOR ta kenë këtë informacion dhe të mos ua komunikojnë eprorëve të tyre në komandën e KFOR-it. Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, çdo zyrtar(ët) i kishës që zbulohet se është i përfshirë në keqpërdorimin e supozuar të ambienteve të KOS-it dhe shërbimit kishtar për transportin ose ruajtjen e armëve do të përballet me dënimet më të rënda të kishës dhe nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë shërbimin e tyre publik. Mirëpo, nëse KFOR-i nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë një falje publike nga deputetja e lartpërmendur përmes ambasadës britanike në Prishtinë, për shkak të pretendimeve të saj nxitëse dhe të pasakta që kanë pasoja të rënda”, thuhet në deklaratën e Dioqezës Rashkë-Prizren.

(Kosova Sot Online )