Berisha thirrje ndërkombëtarëve: Ndaloni veprimtarinë përçarëse të Edi Ramës në rajon

  • E.K /
  • 05 July 2023 - 15:17
Berisha thirrje ndërkombëtarëve: Ndaloni veprimtarinë përçarëse të Edi Ramës në rajon

Ish-kryeministri, Sali Berisha e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si njeriun që ka sjellë përçarjen në rajon. Gjatë fjalës së tij në konferencën e zhvilluar me gazetarët Berisha I bëri thirrje BE, SHBA, si edhe NATO-s që të ndalojnë veprimtarinë përçarëse të kryeministrit Rama në rajon.

“Lidhur me zhvillimet e sotme midis Tiranës dhe Prishtinës, Partia Demokratike i bën thirrje Komunitetit Ndërkombëtar, BE, SHBA, NATO-s të ndalojnë veprimtarinë përçarëse konfliktndjellëse të Edi Ramës në rajon.

Ky autokrat që ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin e parë, dhe të vetmin në Europë dhe pas ardhjes së tij në pushtet, ka bërë përpjekje të hapura për ndarjen e Kosovës me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç.
Edi Rama, për 4 vite me radhë u bë promtor i neveritshëm dhe përçarës i rajonit, duke tundur me fanatizëm flamurin e serbomadhisë së Ballkanit të Hapur të Aleksandër Vuçiç. Ai iu kundërvu haptas, nga samiti në samit procesit të Berlinit, dhe mbrojti për 4 vite me radhë me fanatizmin e një vasali projektin e hegjemonisë serbe dhe ruse në Ballkan.

Edi Rama tani vazhdon të mbjellë përçarje të rrezikshme në rajon, dhe midis shqiptarëve. Ai kërkon që për të shpëtuar lëkurën e tij të flasë në emër të BE për procesin e Berlinit, atyre që 4 vite me radhë e mbrojtjen këtë proces nga sulmet e Ramës dhe padronit të tij, Vuçiç.

Partia Demokratike deklaron se prapa qendrimive aktuale të autokratit më të korruptuar të Europës, qendron hetimi i tij i hapur penal nga Gjykata e Uashingtonit për aferën e tij të tmerrshme të korruptimit të agjentit të kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun, McGonigal, dhe angazhimin e këtij të fundit gjatë kohës që ishte në detyrë për shkatërrimin e Opozitës shqiptare dhe forcimin e pushtetit të Edi Ramës.

PD dënon me ashpërsinë më të madhe, veprimtarinë përçarëse dhe të rrezikshme dhe konfliktndjellëse të Edi Ramës.”, tha Berisha.

(Kosova Sot Online)