Dardan Krivaqa, i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, mbrohet në heshtje

  • S.A /
  • 06 July 2023 - 11:49
 Dardan Krivaqa, i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, mbrohet në heshtje

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dardan Krivaqa i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, në seancën e së enjtes, shfrytëzoi të drejtën të mbrohet në heshtje, transmeton "Kosova sot Online ",

Ndërsa, i akuzuari tjetër Arbër Sejdiu, do të japë mbrojtjen. “Nuk jam në gjendje me dhënë mbrojtjen, do të shfrytëzoj të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, tha Krivaqa.

Ai shtoi se nuk është në gjendje të sqarojë atë që ka ndodhur. Ndryshe, në seancën e 24 janarit 2023, gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ka aprovuar propozimin e avokatit mbrojtës, Admir Salihu, që të bëhej një ekzaminim psikiatrik ndaj Dardan Krivaqës. Ndërsa, në raportin e ekzaminimit psikiatrik të Institutit të Forenzikës, të cilin e ka pranuar gjykata në fjalë, është konstatuar se i akuzuari për vrasjen e 18-vjeçares, nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik. Gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi më 2 shtator 2022, ka marrë aktvendim në bazë të së cilit i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Kurse, më 23 gusht 2022, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se mbrojtësit e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët ngarkohen për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës. Ndryshe, më 14 korrik 2022, është mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

(Kosova sot Online )