BE për propozimin e Ramës për konferencë ndërkombëtare: Iniciativa të tilla duan koordinim me palët dhe ndërmjetësit në dialog

  • S.A /
  • 07 July 2023 - 10:24
BE për propozimin e Ramës për konferencë ndërkombëtare: Iniciativa të tilla duan koordinim me palët dhe ndërmjetësit në dialog

Bashkimi Evropian ka thënë se në këtë “moment sfidues” mirëpret çdo iniciativë të nivelit të lartë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.

Megjithatë, se i përket idesë për një konferencë ndërkombëtare të propozuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, nga BE thonë se “çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me ndërmjetësit në dialog dhe palët”, transmeton "Kosova sot Online". 

 “Ne mirëpresim çdo mbështetje të nivelit të lartë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në këtë moment sfidues.

Megjithatë, çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me Lehtësuesin dhe Palët, të cilët janë të përfshirë në dialog, dhe përfundimisht të vendosin për axhendën dhe ritmin e negociatave të tyre”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano për Reporteri.

Idenë e mbajtjes së një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e hodhi në publik, më 27 qershor kryeministri Edi Rama, në një konferencë për media  në Bruksel me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.

Rama po ashtu kishte deklaruar që Kurti e Vuçiq  “të mos lejohen të dalin pa arritur një marrëveshje”.

Idenë për një konferencë ndërkombëtare e ka mbështetur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e kjo sipas tij me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

Por këtë propozim të Ramës e ka hedhur poshtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti javën e kaluar ka thënë se ajo që duhet bërë tani është implementimi i marrëveshjes bazike të arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe gjithashtu më 18 mars në Ohër.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çfarë duhet bërë është që pa kushte të implementohet marrëveshja bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet, dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar.

(Kosova Sot Online )