Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët ilegale që po futen nga Serbia në Kosovë

  • E.K /
  • 09 July 2023 - 13:18
Deputetja britanike i kërkon kryeministrit Sunak që KFOR-i të merret me armët ilegale që po futen nga Serbia në Kosovë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, e ka ngritur në Parlamentin Britanik çështjen e futjes së armëve nga Serbia në Kosovë, përcjell "Kosova Sot Online".

Ajo e ka i barë një pyetje kryeministrit të vendit, Rishi Sunak se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që misioni paqeruajtës i NATO-s të merret edhe me armët ilegale që tha se po futen nga Serbia në Kosovë.

“Si kryeministër, a do të dini të angazhoheni që ne t’i bashkohemi EUFOR-it, ku unë do të shtoja se si Turqia dhe Kili janë anëtarë, dhe a do ta konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë në mënyrë që ata të mund të merren me armët ilegale që po dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicitë në Kosovë?”, e pyeti ajo kryeministrin britanik.

Sunak shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë përgjegjësi në parandalimin e dhunës së mëtejshme.

“Gjëja e parë për të thënë është se ne dhe Qeveria mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojmë të marrim masa kundër atyre që e kërcënojnë këtë. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Rishi Sunak.

(Kosova Sot Online)