Politika gjermane dhe rajoni: Nuk na duhen tensione në Ballkan, Prishtina e Beogradi t’i kthehen dialogut

  • S.A /
  • 11 July 2023 - 08:48
Politika gjermane dhe rajoni:  Nuk na duhen tensione në Ballkan, Prishtina e Beogradi t’i kthehen dialogut

Në prag të samitit të NATO-s, në Vilnius të Lituanisë qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë, transmeton "Kosova Sot Online ".

Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, në prag të samitit të NATO-s, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

“Fokusi ynë është që të dy palët të zbatojnë atë që kanë premtuar, veçanërisht në Beograd, por edhe në Kosovë”, tha zyrtari duke pasur parasysh planin franko-gjerman dhe dakordimin për të në shkurt dhe mars të këtij viti.

“Hapi tjetër është që të dyja palët të jenë të pranishme në bisedimet e udhëhequra nga BE dhe me pas të negociojnë në mënyrë konstruktive për Asociacionin e Komunave të Kosovës së Veriut.”

Në fokus kryesor të samitit të NATO-s do të jetë mbështetja për Ukrainën. Por sigurisht që çështja e Kosovës dhe siguria në Ballkan do të jenë temë bisedimesh.

“Unë besoj se ky samit është një mundësi e mirë për të gjithë për të kujtuar situatën gjeopolitike: Rusia e ka kthyer luftën përsëri në Evropë dhe për rrjedhojë NATO po rrit aftësinë e saj mbrojtëse. “Ajo që me të vërtetë nuk na duhet tani është, që në këtë situatë shumë të tensionuar gjeopolitike të kemi në Ballkan tensione të tilla që besojmë se janë të evitueshme”, tha zyrtari.

Paralajmërimin e mëparshëm bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se nëse Kosova vijon të vetëizolohet, duke mos përmbushur kërkesat e BE-së, mund të krijohet një “republikë e KFOR-it”, zyrtari tha “se këto vizione të kryeministrit të Shqipërisë janë shumë të largëta”.

Por ai pranoi se kancelari gjerman “është në shkëmbim intensiv me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjet e përgjithshme të stabilitetit në Ballkan”.

Nga ana tjetër, ai bëri thirrje për implementim të marrëveshje së Ohrit: “Është vërtet koha që të gjitha palët e përfshira të zbatojnë atë për çka është rënë dakord. Nëse e bëjnë këtë – dhe sipas nesh nuk ka asgjë që i pengon – nuk ka nevojë për përsiatje të tilla”, tha zyrtari duke iu referuar deklaratës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Sanksione edhe ndaj Beogradit

Gjermania e rriti javën e kaluar presionin ndaj Kosovës duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Siç i konfirmoi DW-së ambasada gjermane në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin, bëhet fjalë për tri projekte që ende nuk kanë nisur akoma.

“Janë konsultime dhe formate bashkëpunimi në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit për zhvillimin”, tha ministria gjermane, por shtoi se ndëshkimet nuk prekin “projektet me sektorin e shoqërisë civile si dhe në projektet që tashmë kemi filluar t’i zbatojmë”.

Të gjitha projektet e prekura mund të rifillojnë në çdo kohë. Parakusht për këtë është zbatimi i masave të nevojshme për shtensionimin e situatës në komunat veriore”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme në përgjigje të pyetjes së DW.

DW e pyeti Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë edhe se a ka ndër mend Gjermania të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila po e refuzon nënshkrimin e Ujdisë së Ohrit.

Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme gjermane thuhej gjithashtu se “ashtu si Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në shtensionimin e gjendjes. “Serbia duhet të angazhohet qartazi për zbatimin e Ujdise së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti dhe nuk duhet të vërë më në dyshim vlefshmërinë dhe natyrën obliguese të saj”.

“Duke pasur parasysh situatën e tensionuar – siç bëmë me Kosovën – ne po shqyrtojmë, pra, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në planin dypalësh se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj Serbisë, për shembull duke pezulluar projektet dhe formatet e bashkëpunimit”, tha ministria e punëve të jashtme.

Deklaratat e presidentit Vuçiq tregojnë se si Kosova ashtu edhe Serbia aktualisht po e pengojnë në të njëjtën masë shtensionimin e situatës, thuhej me tej në deklaratë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte njoftuar javën e kaluar, 6.7.2023 se po shqyrton mundësinë që javën e ardhshme të nënshkruajë një vendim për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme.

Kosova Sot Online )