Në Samitin e NATO-së mund të diskutohet për sigurinë në Kosovë

  • S.A /
  • 11 July 2023 - 15:21
Në Samitin e NATO-së mund të diskutohet për sigurinë në Kosovë

Liderët e shteteve anëtare të NATO-s, takohen sot e nesër në Vilnius të Lituanisë, në kuadër të samitit të radhës, i katërti që nga fillimi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, transmeton "Kosova Sot Online".

Në Samitin e NATO-së që në qendër të vëmendjes ka zhvillimet në Ukrainë dhe anëtarësimin e eventual të Suedisë, mund të diskutohet edhe për sigurinë në veri të Kosovës.

Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim  Pula, ndonëse Kosova nuk është pikë e veçantë e agjendës së Samitit të NATO-së, marrë parasysh zhvillimet e fundit, mund të diskutohet edhe për sigurinë në Kosovë. 

 “Me siguri se do të preket edhe çështja e sigurisë në Kosovë, me faktin se nga zhvillimet e fundit që kanë ndodhur më 29 maj kemi mbi 30 ushtarë të NATO-së, përkatësisht KFOR-it, të cilët janë lënduar nga veprimet e dhunshme të grupeve para-shtetërore serbe. Prandaj, gjithsesi se edhe Kosova do të preket si temë, për vlerësim dhe le të themi një vëmendje më të shtuar të aleancës veri-atlantike në gjithë këtë pjesë të Evropës’, tha Kajtazi.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, po ashtu thotë se marrë parasysh zhvillimet në veri të vendit, në Samitin e NATO-së, mund të diskutohet edhe për këtë temë, por se kjo nuk do të ketë ndonjë vëmendje të caktuar.

“Diskutimet për Kosovën konsideroj se nuk do të kenë ndonjë fokusim të veçantë, për shkak se si problem është i izoluar, por edhe për shkak të përmasave që ka lufta në Ukrainë, pastaj është potenciali ushtarak i Rusisë. E, për rrjedhojë krejt kjo që ndodhë në Kosovë është nën hije të atyre ngjarjeve atje, prandaj mendoj se nuk do të ketë ndonjë fokus të veçantë”, tha ai.

Megjithëkëtë, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se në margjina të Samitit të NATO-së, lider të vendeve anëtare të kësaj organizate mund të bëjnë thirrje për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe vazhdimin e procesit të dialogut.

(Kosova Sot Online )