Edi Rama nuk po i mbron, po i shet shtrenjtë interesat e shtetit të Kosovës

Edi Rama nuk po i mbron, po i shet shtrenjtë interesat e shtetit të Kosovës
Edi Rama nuk po i mbron, po i shet shtrenjtë interesat e shtetit të Kosovës

Gani Qarri 1

  • 11 July 2023 - 14:34

 

Shkruan: ANALISTI Gani Qarri

Se Kryeministri i Kosovës, kishte plotësisht të drejtë, që nuk e priti dorën e zgjatur të Vuçiqit, Edvin Kristaq Ramën, e dëshmoi edhe njëherë më tepër, katërçipërisht Rama vet, me servilizmin e pështirë dhe nënshtrimin e plotë të tij ndaj Aleksandër Vuçiq, me të arritur për vizitë në Beograd.

-Në Serbi, Rama jo që nuk pati guxim, ta ngriste zërin si në Kosovë, por ai nuk guxoi të japë fare qëndrim të një burrështetasi nga një vend i pavarur dhe përfaqësues i shtetit shqiptar, lidhur me kërkesën e kriminelit Vuçiq për mbledhje "urgjente" të Këshillit të sigurimit të OKB-s, me pretendimet e rrejshme, për "dhunën" të cilën realisht askush nuk e ushtron a përshkallëzon as përndjek njeri serbët, qoftë nga qytetarët apo autoritetet e Kosovës, me përmasa, siç thotë Vuçiq, të spastrimit etnik?! Mjerisht Edi Rama, që në Prishtinë ngreh krahët si Gjeli, në Beograd, ishte aq i përulur, sa dukej si pulë e lagur, madje atje, Rama jo vetëm që nuk kishte forcë ta ngritë zërin siç kapardiset kur flet me megalomani për Oso Kukën kosovar në veri, por tregohej aq i përulur dhe i kujdesshëm, sa që edhe në pyetjen e gazetarëve serb, lidhur me qëndrimin e Shqipërisë mbi pretendimet e Vuçiqit për mbledhje të Këshillit të Sigurimit, ai nuk guxoi të jap përgjigje të një burrështetasi nga një vend tjetër. Rama jo vetëm ka hezituar por edhe nuk ka guxuar fare të deklarohet, si përfaqësues i shtetit shqiptar kundër një nismës së Vuçiqit, për atakimin e shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës, duke u frikësuar ta thot troç se ajo që propagandon Vuçiq është gënjeshtër e kulluar dhe ka për qëllim jo qetësimin e situatës, por shkuarjen në përshkallëzim dhe përkeqësimin edhe më të thellë të saj. “Për sa i përket pyetjes që më bëtë për Këshillin e Sigurimit – ne jemi anëtarë të Këshillit të Sigurimit, por ne jemi anëtarë edhe të NATO-s, por ne jemi në të njëjtën kohë një vend i vetëdijshëm për përmasën e tij.

Pra, na as nuk jemi superfuqi, as nuk e kemi kapacitetin të sillemi si superfuqi, por kemi fatin që të jemi në një aleancë me një superfuqi dhe për këtë arsye çdo gjë që bëjmë në Këshillin e Sigurimit e konsultojmë. Nga ana tjetër dua të njihem me këtë ide. Kam dëgjuar, kam mundur të lexoj nga mediet për këtë ide, por nuk e njoh në përmbajtje se çfarë ka parasysh presidenti kur thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të merret me çështjen e veriut të Kosovës dhe sigurisht mbasi të njihem me këtë ide do të krijoj një opinion për këtë” ka kalkuluar Rama... Por ajo që ra fort në sy, ishte fakti se Rama nuk qe në gjendje ta kundërshtoj Vuçiqin me asnjë fjalë, e lëre më edhe ta akuzoj, si shkaktar të gjendjes së krijuar në veri, siç i gjuhet me shkelmime atllarësh, kohë e pa kohë, me të katrat, Kosovës dhe kryeministrit Kurti. Në anën tjetër sivëllezërit rus i dolën menjëherë në krah, kërkesës absurde të Vuçiqit, duke iu përshtatur fjalë për fjalë edhe retorikës kriminale të tij, përmes zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, e cila edhe ajo përsëriti fjalët e Vuçiqit se kinse, në Kosovë ekziston “një kërcënim për mbijetesën e serbëve të Kosovës” dhe Moska është e shqetësuar nga një tjetër përshkallëzim i dhunës. Zaharova, shtoi se “politika e spastrimit etnik” ndaj serbëve po ndodh nga autoritetet shqiptare, me mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe BE-së, të cilat nuk duan t’i ndalojnë ultra-radikalët në Prishtinë” dhe se gjoja “në vend të kësaj, kryeqytetet perëndimore po kërkojnë mënyra të reja për të ushtruar presion mbi Beogradin dhe popullin serb, duke sajuar akuza kundër përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe kurse Rusia ndan mendimin e presidentit të Serbisë për situatën aktuale të krizës”, ka deklaruar zëdhënësja ruse Zaharova.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".