Qartet Lëvizja Socialiste serbe: Sanksionet ndaj Vullinin sulm ndaj Serbisë

  • S.A /
  • 12 July 2023 - 09:25
Qartet Lëvizja Socialiste serbe: Sanksionet ndaj Vullinin sulm ndaj Serbisë

“Vendosja e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Aleksandar Vullinit, si drejtor i Agjencisë serbe të Inteligjencës (BIA), është një sulm i ri i drejtpërdrejtë ndaj Serbisë dhe institucioneve serbe”, ka kumtuar Lëvizja Socialiste serbe, parti kjo trashëgimtare e partisë famëkeqe JUL të bashkëshortes së kriminelit të luftës Sllbodan Millosheviq, Mira Markoviq, e kryetar i së cilës aktualisht është ultranacionalisti pro-rus, Aleksandar Vullin, transmeton "Kosova Sot Online".

“Uashingtoni gjithmonë por edhe tash, gënjen, urren dhe e përdhunon të vërtetën, kështu që Vullini, i cili shkatërroi klanet e drogës që kishin mbështetjen e CIA-s, tani po shpallet diler i drogës, edhe pse për shkak të Vullinit, narko-vrasësit e tyre të preferuar janë në burg, nga i cili do të lirohen vetëm nëse vijnë në pushtet ambasadori Hill dhe Gjillasi”, pretendohet në kumtesë të kësaj partie, duke reaguar ndaj vendosjes së sanksioneve amerikane ndaj Aleksandar Vullinit.

Ata shtojnë se krimi i korrupsionit i Vullinit është se, siç thonë ata, “ai zhduki korrupsionin në çdo ministri që drejtonte, kështu që ambasada amerikane nuk mundi të ketë qasje në sekretet tona shtetërore siç ishin mësuar pas grusht shtetit të 5 tetorit” (data kur u rrëzua krimineli Millosheviq nga froni serb).

“Për vrasësit nga Shtëpia e Bardhë, faji i Vullinit është që ai po e respekton ligjin ndërkombëtar dhe që refuzon të tërhiqet në konfliktin perëndimor në Lindje. Qëndrimi i Vullinit se ne duam paqe dhe të mos jemi palë rusofobike në një luftë vëllavrasëse është për ta një ndikim malinj dhe një platformë për zgjerimin e ndikimit rus në rajon dhe me këtë treguan se Amerika është një vend shumë i vogël dhe i dobët nëse për fitoren ndaj Rusisë i pengon vetëm Aleksandar Vullini”, pretendohet në kumtesë.

Ministria e Financave e SHBA ka vendosur sanksione ndaj Aleksandar Vullinit dhe SHBA e akuzojnë atë për përfshirje në krimi të organizuar, tregtinë e narkotikëve dhe se duke keqpërdorur pozitën publike ai ka ndihmuar tregtarin e armëve Sllobodan Teshiq që dërgesat e paligjshme të armëve të lëviznin lirshëm përtej kufijve të Serbisë, dhe se i ka siguruar Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm malinj në rajon.

(Kosova Sot Online )