Kurti për masat e BE’së: E kanë cenuar mundësinë që Kosova të negociojë në pozicione të barabarta

  • S.A /
  • 12 July 2023 - 11:33
Kurti për masat e BE’së: E kanë cenuar mundësinë që Kosova të negociojë në pozicione të barabarta

Kryeministri Albin Kurti tha se dy kryenegociatorët Besnik Bislimi nga pala kosovare dhe Petar Petkoviq nga ajo serbe do të ftohen në Bruksel për të finalizuar planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes së fundit, transmeton "Kosova sot Online".

“Pika e fundit e dakordimit në Bratisllavë ka të bëjë me ftesën që BE do të dërgojë për të dy kryenegociatorët. Ata do të ftohen në Bruksel që të finalizojnë planin e sekuencimit apo thënë ndryshe tabelën e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Pas finalizimit të planit të sekuencimit do të fillojë menjëherë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”, tha Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë.

Ai shpalosi edhe disa kushte të tjera për, siç tha, suksesin e zbatimit të marrëveshjes, duke shtuar se Kosova duhet të negociojë si e barabartë me Serbinë pa masa të vendosura nga BE-ja.

“Kam nënvizuar në vazhdimësi se për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike, së pari të dyja palët duhet ta pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe. Së dyti, që marrëveshja duhet të zbatohet në plotëni, gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti, që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet. Së katërti, që të dyja palët duhet të kenë mundësinë që të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së”.

(Kosova Sot Online )