Gashi: Degradoi situata kur ministrat e sulmuan deputetin

  • A.P /
  • 13 July 2023 - 16:05
Gashi: Degradoi situata kur ministrat e sulmuan deputetin

Në seancën e sotme, situata eskaloi pasi Ministrat e Qeverisë Kurti e sulmuan deputetin Mërgim Lushtaku, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gashi ka thënë se ministrat në vazhdimësi janë sjellë dhunshëm ndaj deputetëve dhe se ai disa herë ka kërkuar që të merren masa ndaj tyre, me përjashtim nga seanca.

Lidhur me momentin kur Lushtaku gjuaji me ujë kryeministrin Albin Kurti, Gashi ka thënë se kështu ka vepruar edhe vetë Kurti dikur.

“Fatkeqësisht, situate e zhvillume paradite është një situatë shumë e randë. Por, realisht na këto situate i kemi pa edhe ma herët, por jo në atë shkallë. Degradoi situata kur ministrat e sulmuan deputetin se aktet e performancës me ujë na e kemi pa kryeministrin aktual tu i gjuajt krejt deputetët që janë këtu me ujë, me gaz e me sprej, kryministrin me ujë kërkush se ka sulmu me shishe ftyrës. Pra Ministrat në vazhdimësi janë sjellë dhunshëm ndaj deputetëve, i kanë sha, i kanë ofendu prej vendeve. Kam kërku disa herë që me marr masa ndaj minsitrave, me i përjashtu prej seancave, sepse ky në fund të fundit është vendi i deputetëve. Nuk ka ndodh, fatkeqësisht sot e kemi pa këtë situatë”, tha Gashi.

Ai tha se sot nuk ka kushte për të vazhduar seancën.

“Koha I ul gjakrat dhe masnej shkojmë me një seancë më normale. Për momentin nuk po doket që ka me pas kushte për seancë normale, prandaj të mos vazhdojmë me tensionim pa nevojë sepse ska dicka me trajtu me kaq urgjencë”, deklaroi Gashi.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë eskaluar në dhunë gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Gjithçka ka filluar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi foton e Kurtit që ishte vendosur nga opozita te pankarta “Zdravo”.

Deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku e gjuajti pastaj me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ai po mbante fjalim në foltore.

Pas kësaj zëvendëskryeministri Bislimi shihet duke e gjuajtur me shishe Lushtakun, ku afrohen Ministri Hekuran Murati dhe Ministrja Albulena Haxhiu.

Lushtaku shihet duke i shtyrë të dy dhe pastaj afrohet edhe deputeti tjetër i PDK’së, Hajdar Beqa dhe deputeti i VV’së, Armend Muja, ku eskalon situata.

Aty ndërhyjnë edhe sigurimi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca më pas e thirri Policinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)