Për rrahjen në Kuvendin e Kosovë Prokuroria e fton edhe Bekim Haxhiun, thotë se do të intervistohet javën e ardhshme

  • S.A /
  • 14 July 2023 - 12:47
Për rrahjen në Kuvendin e Kosovë Prokuroria e fton edhe  Bekim Haxhiun, thotë se do të intervistohet javën e ardhshme

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka konfirmuar se është ftuar për intervistim nga Prokuroria, lidhur me dhunën e përdorur dje në Kuvendin e Kosovës, ku u përleshën fizikisht deputetët e PDK’së dhe Ministrat e Qeverisë, ku u përfshi edhe ai, transmeton "Kosova Sot Online ".

Haxhiu i ka thënë se do të intervistohet javën e ardhshme.

“Organet e drejtësisë janë të pavarura në punën e tyre, kurdo qe te më thirrin do te ju përgjigjem. Jam kontaktuar nga prokuroria, javën tjetër do të intervistohem”, ka thënë Haxhiu.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, ka thënë se deri tash janë dëgjuar zëvendësministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, por që s’ka treguar se në çfarë cilësie janë intervistuar.  Ajo ka deklaruar se ftesë për t’u paraqitur dhe për të dhënë intervistë para saj u ka bërë edhe deputetëve nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtakut dhe Hajdar Beqës, të cilët tha se do të dëgjohen ditëve në vijim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tashmë i ka iniciuar hetimet për këtë rast. Përmes një komunikate ku thuhet se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, mes tyre edhe marrja e deklaratave nga palët e përfshira në këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale ‘Sulmi’, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

(Kosova Sot Online )