Memli Krasniqi tregon për takimet në Francë

  • E.K /
  • 14 July 2023 - 14:40
Memli Krasniqi tregon për takimet në Francë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi,ka treguar se në de në Paris të Francës, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme zyrtare në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, përcjell “Kosova Sot Online”.

Krasniqi njofton se u prit dhe diskutoi me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan.

Postimi i plotë:

Dje, në Paris të Francës, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme zyrtare në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë.

Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falelënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet.

Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku u takova me z. Adrien Frier, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to.

Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.

Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një Qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor.

(Kosova Sot Online)