LDK kërkon përgjegjësi politike për bisedën Kusari-Radojicic

  • A.P /
  • 14 July 2023 - 19:45
LDK kërkon përgjegjësi politike për bisedën Kusari-Radojicic

Për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në vend dhe për ato që LDK i quan si skandalet e fundit të partisë në pushtet, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbledhur sot kryesinë e partisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në komunikatë për media të lëshuar nga LDK pas këtij takimi, thuhet se partia që drejton Abdixhiku dënon dhunën e ndodhur në Kuvend dhe se LDK refuzon dhunën sim jet.

Tutje thuhet se LDK konsideron që duhet fokusuar tek normalizimi i situatës në veri të vendit dhe tek luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Partia që drejton Abdixhiku pas kësaj mbledhej ka kërkuar përgjegjësi politike për audio-incizimet ne të cilët shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila konfirmon vetë se ka biseduar me Milan Radojicicin.

Reagimi i Plotë:

LDK vlerëson se vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri, luftimin e krimit dhe korrupsionit. LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion.

Nga të gjitha skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar, prandaj është jetike që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet tek sfidat e tyre të përditshme.

LDK do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për tu zbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi.

(Kosova Sot Online)