Policët "gangstera" të akuzuar për keqtrajtim gjatë detyrës mbrohen në heshtje, prokuroria kërkon dënimi i tyre

  • S.A /
  • 15 July 2023 - 09:09
Policët

Dy zyrtarët policorë të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë shfrytëzuan të drejtën e tyre të mbrojtjes në heshtje, ndërsa u paraqitën edhe fjalët përfundimtare të palëve, ku Prokuroria ka kërkuar dënimin, kurse mbrojtja lirimin e tyre, transmeton "Kosova Sot Online".

Në këtë rast, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi po ngarkohen se më 24 gusht 2020 në zyrën e stacionit Policor në Mitrovicë – Jug, me keqpërdorim të detyrës ose autorizimit kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe e kanë ofenduar rëndë dinjitetin e të dëmtuarit N.B., raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Në këtë seancë, u administruan të gjitha provat materiale. Fillimisht, mbrojtësit e të akuzuarve Mehmeti dhe Mulliqi, avokatët Gazmend Ismajli dhe Mahmut Halimi, i propozuan gjykatës që në shqyrtim gjyqësor të dëgjohet një ekspert psikiatër, i cili do të sqaronte raportet mjekësore-diagnozën e të dëmtuarit N.B., të administruara si prova materiale.

Gjyqtari i rastit, Xhemajl Jusufi në pajtim me nenin 252 të KPPK-së, refuzoi propozimin e mbrojtësve për dëgjimin e ekspertit psikiatrik, me arsyetimin se ky rast është i njohur në vija të përgjithshme dhe ekzaminimi i gjendjes mendore të të dëmtuarit është i panevojshëm.

Në fazën e deklarimit të të akuzuarve, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi deklaruan se do të mbrohen në heshtje, ndërsa shtuan se mbeten pranë deklaratave të dhëna më herët.

Tutje, prokurorja e rastit Ajtene Zoni e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim, ndërsa kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Po ashtu, edhe përfaqësuesja e të dëmtuarit N.B., avokatja Marigona Gashi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Rrustem Mehmeti, avokati Gazmend Ismajli, fjalët e tyre përfundimtare i paraqitën me shkrim.

Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarës Teuta Mulliqi, avokati Mahmut Halimi, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, standardi i vërtetimit të fajësisë përtej çdo dyshimi të bazuar lidhur me të mbrojturën e tij, jo vetëm që nuk është arritur, por ka rënë nën minimumin e paraparë ligjor, e i cili kalon në standarde të supozimeve.

Ai shtoi se keqtrajtimi, frikësimi ose fyerja e rëndë e dinjitetit të personit tjetër, si elemente të veprës penale për të cilën akuzohet e mbrojtura e tij, nuk janë plotësuar në këtë rast, pasi në aktakuzë të njëjtës i vihet në barrë vetëm “…ndërsa e pandehura Teuta me këtë rast në mënyrë ironike kishte qeshur”.

“Konstatimi në akuzë lidhur me veprimin i cili i vihet në barrë të akuzuarës Teuta, në aspektin penalo-juridik, nuk paraqet kurrfarë veprimi inkriminues dhe tek e fundit, ky konstatim është bërë në sajë të pretendimeve të të dëmtuarit, pasi që “një qeshje” të tillë ironike, as nuk e kemi dëgjuar në audio-incizimet e administruara dhe në mungesë të video-incizimit nuk e kemi parë”, shtoi avokati Halimi.

Pas shpalljës së çështjes si të përfunduar, gjyqtari Jusufi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 18 korrik 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 20 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Rrustem Mehmetit dhe Teuta Mulliqit, me arsyetimin se më 24 gusht 2020, në zyrën e Stacionit Policor në Mitrovicë – Jug, me keqpërdorim të detyrës ose autorizimit kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe e kanë ofenduar rëndë dinjitetin e personit tjetër, të dëmtuarit N.B.

Sipas aktakuzës, me rastin e marrjes në pyetje të të dëmtuarit N.B në zyrën e Teuta Mulliqit, pasi që i njëjti kishte kërkuar që t’i sqarohet se për çfarë arsye është ftuar dhe duke iu thënë që nuk dëshiron të japë deklaratë pa prezencën e avokatit, nuk iu kanë lexuar të drejtat e tij, ndërsa të akuzuarit kanë filluar t’i bëjnë presion dhe dhunë fizike që të japë deklaratë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Rrustem i ka thënë: “cilin avokat po e do, Tomën apo Rrecaj, çfarë filozofi je ti, mësuesit si ti na kanë sjellë këtu ku jemi tani”. Ndërsa, përreth një orë nuk iu është siguruar avokati.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i pandehuri Rrustem Mehmeti dy herë e kishte goditur në pjesën e qafës pas kokës, duke kryer dhunë fizike, ndërsa e pandehura Teuta me këtë rast në mënyrë ironike kishte qeshur.

Tutje, thuhet se polici Rrustem ia kishte vendosur shufrën tek goja dhe i kishte thënë që do t’ia thyej dhëmbët apo eshtrat, ndërsa tërë ngjarjen i dëmtuari N.B. e ka incizuar me telefon mobil.

Prandaj, me këtë akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, par.1 i KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.

(Kosova sot Online )