KFOR: Njësitë tona janë të gatshme për ta përballuar çdo situatë

  • A.P /
  • 16 July 2023 - 16:51
KFOR: Njësitë tona janë të gatshme për ta përballuar çdo situatë

Kosova e ka reduktuar për 25% prezencën e Policisë në dhe rreth objekteve komunale në bazë të një marrëveshje të arritur në fillim të kësaj jave ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit dhe emisarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas kësaj marrëveshje, Policia e Kosovës do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore atje.

KFOR-i iu përgjigj në lidhje me këtë. Në pyetjen se a duhet që Policia t’i marrë vendimet e kësaj natyre në koordinim, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë tha se kjo çështje është “përgjegjësi e institucioneve në Kosovë”.

“Reduktimi i mundshëm prej 25% është përgjegjësi e institucioneve në Kosovë dhe bazohet në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

“Njësitë e KFOR-it janë plotësisht të pajisura dhe të gatshme për ta përballuar çdo situatë”, thuhet më tej në përgjigje.

KFOR-i thotë se po vazhdon ta zbatojë mandatin e saj të marrë nga OKB-ja “në mënyrë të paanshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Kurti: Vendimet për sundimin e ligjit në veri i merr vetë Policia

Kryeministri Albin Kurti u pyet të mërkurën për pikën e marrëveshjes që e obligon Policinë e Kosovës të bëjë vlerësime të rregullta me EULEX-in dhe KFOR-in për zvogëlimin e mëtejmë të pranisë policore në veri.

Kurti tha se Policia do t’i marrë vetë vendimet për situatën.

“Vendimet për sundimin e ligjit, i merr vetë Policia”, tha ai.

“Ne çfarë jemi dakorduar në Bratisllavë është se pas këtyre dy javëve mund ta zvogëlojnë praninë e Policisë”, tha Kurti.

Çka thanë BE-ja dhe Qeveria për këtë pikë?

Zyrtarja për shtyp e BE-së, Zoï Muletier  tha të martën se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari europian, Miroslav Lajçak u pajtuan për hapat e parë që duhet t’i bëjë Kosova për shtensionimin e situatës.

“Ata ranë dakord për hapat e parë prioritarë të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha”, tha ajo.

Fushat për të cilat u morën vesh Bislimi e Lajçak përfshijnë “zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale”. Gjithashtu, siç tha Muletier, Kosova do të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore “duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që mund të përshkallëzojë situatën”. Po ashtu, Kosova duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme lokale.

Po të martën, Qeveria e Kosovës njoftoi për marrëveshjen e arritur.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet në pikën e dytë, sipas Qeverisë.

(Kosova Sot Online)