Rrahjen mes deputetëve e ministrave në Kuvend prokuroria po heton

  • A.P /
  • 17 July 2023 - 16:13
Rrahjen mes deputetëve e ministrave në Kuvend prokuroria po heton

Deri tani dihet se për dhunën në Kuvend me datën 13 korrik janë intervistuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministri i Financave Hekuran Murati si dhe deputeti Mërgim Lushtaku, është parë duke hyrë në objektin e Pallatit të Drejtësisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por, Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka dhënë detaje nëse janë intervistuar të gjithë të përfshirët në rrahje dhe kush në çfarë cilësie po intervistohet, si i dyshuar apo si dëshmitar.

Prokuroria Themelore e Prishtinës të hënën i tha se për këtë rast hetimet janë duke vazhduar në koordinim me policinë.

“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se veprimet hetimore po vazhdojnë të ndërmerren nga Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje. Për epilogun e tyre do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Pas intervistimit të deputetit të PDK-së Mërgim Lushtaku, avokati mbrojtës i tij Faton Fetahu ka thënë se Lushtaku është intervistuar në cilësi të dyshuarit për sulm, por edhe të viktimës.

Ai ka thënë se qartazi shihet se zëvendëskryeministri Bislimi ka sulmuar i pari deputetin Lushtaku dhe se ky i fundit të gjitha veprimet i ka bërë në vetëmbrojtje.

Gjithçka nisi kur zv.kryeministri Bislimi largoi një fotografi që e vendosi deputetja Musliu në foltoren kur po fliste Kryeministri Kurti.

Më pas, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun.

(Kosova Sot Online)