Osmani inkurajon viktimat e dhunës seksuale të aplikojnë për njohje të statusit

  • A.P /
  • 17 July 2023 - 16:38
Osmani inkurajon viktimat e dhunës seksuale të aplikojnë për njohje të statusit

Anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, të kryesuar nga kryetarja Leonora Selmani, i priti në takim presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidenca njofton se në takim u diskutua për punën e Komisionit, bashkëpunimin e vazhdueshëm me Presidencën e Republikës, si dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt ndërinstitucional në vazhdën e ndryshimeve të aprovuara në Kuvendin e Republikës në Ligjin, i cili ndër të tjera, trajton statusin dhe të drejtat e personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172.

“Në këtë frymë, Presidentja Osmani vlerësoi zgjatjen e afatit për aplikim për dy vite shtesë, por potencoi se është më rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati i aplikimit të jetë i pakufizuar.  Ajo shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, e gjenocidi nuk janë krime që mund të parashkruhen, prandaj edhe viktimat e këtyre krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit duhet të kenë afat të pakufizuar për të parashtruar kërkesat për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre. Tutje, Presidentja Osmani, duke u bazuar në Ligjin e sapo miratuar, përsëriti thirrjen e saj që të shfrytëzohet e drejta e garantuar me ligj për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës, të cilat ende ballafaqohen me stigmatizim dhe mungesë të drejtësisë, sikurse edhe rikonfirmoi rëndësinë e vazhdimit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave nga Komisioni me profesionalizëm të lartë”, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me këtë Komision, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në tetor, si dhe për bashkëpunime në projekte e nisma të tjera të interesit të përbashkët, njofton presidenca.

(Kosova Sot Online)