Universiteti i Pejës vendosi kamera në sallat e ligjërimit, AIP-ja merr vendim për largimin e tyre

  • E.K /
  • 18 July 2023 - 10:25
Universiteti i Pejës vendosi kamera në sallat e ligjërimit, AIP-ja merr vendim për largimin e tyre

Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” është urdhëruar t’i largojë kamerat nga sallat e ligjërimit.

Vendimi është marrë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Në vendimin e publikuar nga kjo Agjenci thuhet se “qëllimi kryesor kur mund të instalohet sistemi i vëzhgimit me kamerë është siguria e njerëzve dhe siguria e pasurisë, kur nuk mund të arrihet me mjete të tjera, me të cilën na lënë të kuptojmë që nëse mund të arrihet me mjete të tjera edhe vëzhgimi me kamerë në raste të caktuara mund të kufizohet”.

Kësisoj, Agjencia për Informim dhe Privatësi thekson se sallat e ligjërimit (amfiteatër) në Universitet konsiderohen ambiente të punës së mësimdhënësve dhe kontrolluesi përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në ambiente të punës duhet ta arsyetojë me qëllimin e vendosjes.

“Gjatë procesit të inspektimit, kontrolluesi nuk ka dëshmuar se ekziston ndonjë rrezik potencial ndaj të punësuarve ose pronës që do të arsyetonte vendosjen e kamerave, me të cilën do të arsyetonte edhe qëllimin e përpunimit të të dhënave personale”.

Në kuptim të kësaj, sipas interpretimit të kësaj Gjykate, mbikëqyrja me video e një punonjësi në vendin e punës, qoftë e fshehtë ose jo, duhet të konsiderohet si ndërhyrje në jetën private të punonjësit dhe kjo përbën shkelje të Nenit 8 (e drejta e respektimit të jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

(Kosova Sot Online)