874 miliardë dollarë të propozuara për ushtrinë amerikane

  • A.P /
  • 18 July 2023 - 16:24
874 miliardë dollarë të propozuara për ushtrinë amerikane

Senati fillon këtë javë debatin për një projektbuxhet masiv që do të përcaktojë prioritetet e ushtrisë amerikane gjatë vitit të ardhshëm, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, demokratët dhe republikanë kanë shprehur tashmë pikëpamje të kundërta në Dhomën e Përfaqësuesve se sa duhet të jetë niveli i ndihmave për Ukrainën, ose për nismat për përfaqësimin e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, si dhe për çështjen e abortit.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miratoi të premten projektbuxhetin prej 874.2 miliardë dollarësh për mbrojtjen, me 219 vota pro dhe 210 kundër.

Legjislacioni i ri autorizon fonde të mëtejshme për modernizimin e ushtrisë amerikane.

“Teknologjia më e fundit që është thelbësore për të ardhmen e këtij vendi dhe për të ruajtur lirinë në mbarë botën, përkundër rritjes së Kinës dhe Rusisë, do të marrë më shumë investime se në të kaluarën”, tha Kevin McCarthy, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Pesë përpjekje të udhëhequra nga republikanët për t’i dhënë fund ndihmës për Ukrainën kanë dështuar. Shumica e republikanëve votoi me demokratët për të miratuar ndihma prej 300 milionë dollarësh për Ukrainën. Por konservatorët arritën disa fitore ndaj administratës së Presidentit Biden.

“Paratë e taksapaguesve i jepen Departamentit të Mbrojtjes të destinuara për mbrojtjen kombëtare dhe për sigurinë tonë kombëtare. Nuk është për të mbështetur axhendën radikale, imorale, pro-abortit të administratës Biden”, tha Ligjvënësi republikan Ronny Jackson.

Republikanët thonë se sigurimet shëndetësore qeveritare nuk duhet të mbulojë shpenzimet e aborteve për gratë ushtarake, dhe se Pentagoni nuk duhet të udhëheqë iniciativa për përfshirjen e personave transgjinorë.

“Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme që republikanët ekstremë të MAGA-s shfrytëzuan një projektligj thelbësor për sigurinë tonë kombëtare dhe e kthyen në një mjet për t’ia imponuar popullit amerikan ideologjinë e tyre të ekstremit të djathtë”, tha Ligjvënësi Hakeem Jeffries, drejtues i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Këto përparësi konservatore të reflektuara në projektligjin e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, e bëjnë pothuajse të pamundur kalimin në këtë formë në Senatin me shumicë demokrate.

“Qartësisht, shumë prej këtyre amendamenteve ndoshta do të hiqen dhe Senati do të dalë me një variant disi ndryshe. Por në tërësi, ka një rritje të shpenzimeve për mbrojtjen dhe ushtarakëve tanë u rriten të ardhurat. Jemi në një moment shumë jetik. Është një botë e rrezikshme”, tha Ligjvënësi republikan Michael McCaul.

Senati fillon të martën debatin për projektbuxhetin e mbrojtjes dhe pritet që teksti përfundimtar të duket shumë ndryshe nga varianti i miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

(Kosova Sot Online)